Tirana kërkon Superkupën e Europës 2019. Shulku: Kemi “armët” tona për të fituar

25/04/2017 00:00

Në garë për Superkupën e Europës në futboll për vitin 2019 do të jetë për herë të parë edhe Shqipëria, me opsionin e “Arenës Kombëtare” që po ngrihet në Tiranë, si variant për të bindur UEFA-n.

Në një intervistë për Top Channel, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku qartëson se po përgatitet i gjithë dokumentacioni i kërkuar, ndërkohë që çështja e stadiumit është një pikë e ezauruar.

“Në vitin 2019 stadiumi do të ketë përfunduar me 100%. Me të gjitha kriteret që duhen për këtë ngjarje të rëndësishme. Kështu që problemi i stadiumit quhet i ezauruar”, tha Ilir Shulku.

Mjaft stadiume me një infrastrukturë unike dhe vendndodhje të favorshme kanë nisur të lobojnë për të pritur Superkupën, duke angazhuar personalitete politike dhe sportive për të joshur UEFA-n. Mes opsioneve, përveç Tiranës janë dhe “Stadium de Toulouse” në Tuluzë të Francës, “Windsor Park” në Belfast të Irlandës së Veriut, apo “Stadion Narodowy” në Varshavë të Polonisë.

Megjithatë, Shulku tregon se Shqipëria, pavarësisht se shumë larg kapaciteteve të këtyre shteteve, ka armët e saj të forta.

“Shpresoj që të gjitha kushtet do të plotësohen, sepse mendoj dhe kam bindjen absolute se në bashkëpunim me qeverinë dhe të gjitha institucionet përkatëse të saj, do të bëjmë të mundur që kjo ngjarje të realizohet patjetër. Besoj padiskutim që Shqipëria është një kandidate e fortë, sepse së pari është e para herë që mund të organizohet në Shqipëri, dhe së dyti, përkon me ndërtimin e një stadiumi modern që do të ndërtohet. Të dyja këto bashkë mendoj se përbëjnë pika shumë të forta”, tha Ilir Shulku.

Vlen për t’u përmendur se një pjesë e financimit, që Federata Shqiptare e Futbollit ka paguar për ndërtimin e stadiumit të ri “Arena Kombëtare”, ka qenë një fond i UEFA-s për zhvillimin e infrastrukturës. Kjo konsiderohet një avantazh i FSHF-së për të siguruar organizimin e këtij evenimenti.

Top Channel