Kupa e Gjermanisë, rikthehet rivaliteti Bayern-Dortmund

25/04/2017 00:00

E mërkura e gjysmëfinaleve të Kupës së Gjermanisë risjell rivalitetin karakteristik mes Borussia Dortmund dhe Bayern Munchen, e para mbajtëse në fuqi e trofeut dhe tjetri favorit, si për Kupën, ashtu dhe kampionatin.

Retë e depresionit në kampin bavarez u bënë më të zeza me eliminimin nga Champions League, por formacioni i trajnerit Ancelotti shpreson se do të lërë pas zhgënjimin për të avancuar drejt një tjetër synimi sezonal.

Për të shtuar optimizmin e Bayernit menduan lajmet nga infermieria, që zyrtarizuan riaftësimin e plotë të treshes mbrojtëse, Mats Hummels, Jerome Boateng dhe Javi Martinez. Të 3 këta lojtarë do të jenë gati për t’u përballur me Dortmundin mbrëmjen e së mërkurës, për të ndihmuar kryesuesit e Bundesligës t’i afrohen edhe më shumë objektivit për të dy trofetë e mbetur sezonalë.

“Fatmirësisht Hummels nuk pati probleme ndaj Mainzit, ndërsa Martinez e Boateng u stërvitën me kapacitet të plotë. Problemi im i vetëm është që kam vetëm dy vende në formacion për këta lojtarë dhe nuk është e lehtë të hedh në fushë vetëm njërin prej tyre”, tha trajneri Carlo Ancelotti. “Ne jemi gati për ndeshjen e madhe që na pret. Sfida ndaj Realit na bëri të shpenzojmë shumë energji, por e kemi lënë pas tashmë dhe jemi fokusuar te Dortmundi”, tha tekniku italian.

Shqetësim për Bayernin përbën gjendja e David Alaba, që u dëmtua në barazimin kundër Mainzit. Bayern do të përballet me ekipin nga Ruhri në një ripërsëritje të finales së vitit të kaluar.

Top Channel