Real, rinovim deri në 2022-shin me Iscon. Përfiton 6 mln euro

25/04/2017 00:00

Mbyllet më në fund “telenovela” Isco. Futbollisti spanjoll do të rinovojë kontratën me Realin e Madridit deri në vitin 2022, lajm ky që bëhet i ditur nga e përditshmja spanjolle “Marca”.

Sipas kësaj të përditshmeje, javën e kaluar drejtuesit e “Los Blancos” u takuan me babain dhe njëkohësisht agjentin e 25-vjeçarit, duke gjetur edhe akordin për zgjatjen e kontratës së lojtarit, e cila do të shoqërohet me rritjen e pagës së tij. Isco do të përfitojë 6 milionë euro neto në sezon, pa përfshirë këtu shpërblimet e ndryshme.

Isco dha shenjën e parë se kjo çështje po shkonte drejt fundit, të martën e kaluar, kur pas përfundimit të sfidës me Bayern Munchen deklaroi se ishte pranë rinovimit të kontratës me Realin e Madridit, pasi gjithnjë ka shfaqur dëshirën për të qëndruar me “Los Blancos”.

Futbollisti ishte vënë prej kohësh në shënjestrën e Manchester City, Liverpool dhe Juventusit, por dëmtimet e  vazhdueshme të Gareth Bale bënë që situata e tij të ndryshojë në mënyrë drastike, pasi i dhanë mundësinë lojtarit të luajë më shpesh dhe të gjejë vazhdimësinë që i mungonte prej muajsh, edhe pse iu desh që të duelonte jo pak herë me Asension për vendin në skuadër.

Top Channel