Ligji i ri i sportit, deputetët e kalojnë për votim në Kuvend

25/04/2017 00:00

Ka përfunduar pas rreth 4 vitesh orvatja e diskutime nëpër zyrat e institucioneve dhe grupeve të punës ligji i ri për sportin.

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik ka diskutuar ditën e martë ndryshimet e fundit që kishte propozuar Ministria e financave.

“Zyrtarisht Ministria e Financave është shprehur se përjashtimet dhe lehtësish fiskale duhet të jenë vetëm në legjislacionin fiskal”, tha Zarina Taja, Ministria e Financave.

Bëhet fjalë për heqjen e doganave për donacionet e institucioneve dhe federatave të huaja që vijnë si ndihmë në favor të federatave shqiptare sportive. Ndërkohë, relatori i çështjes deputeti Fidel Ylli ka qenë kundër çdo ndryshimi të ligjit që kishte mbërritur në komision i kompletuar edhe nga ana teknike ligjore edhe ajo fiskale.

“Ky ligj ka ekzistuar që në vitin 1995 në kohën e qeverisë “Nano” dhe ka 12 vite që funksionon. Këto janë donacione që federata të ndryshme apo donatorë të ndryshëm të juaj i sjellin për federatat tona dhe më pas ja lënë atyre në dorë që ta zgjidhin me shtetin sa i përket doganave apo TVSH-së”, u shpreh Fidel Ylli, deputet i PS.

Në këtë debat, të cilin përfaqësuesit e Ministrisë së Financave, u përpoqën ta kalonin në nivel teknik, ka ndërhyrë edhe deputeti Fetmir Toçi.

“Këto janë donacione që falenderojmë të huajt që na i sjellin dhe është e pakuptueshme që të kërkohet të kalojnë në dogana pasi askush nuk po bën biznes”, tha Fatmir Toçi.

Pas disa orësh dialog e konsultime, ligji i ri i sportit kaloi nga komisioni duke i lënë radhën Parlamentit për të zyrtarizuar gjithçka.

Top Channel