Femrat e Shqipërisë mësojnë rivalet në kualifikuese

25/04/2017 00:00

Kombëtarja shqiptare e futbollit të Femrave ka mësuar emrat e kundërshtarëve të saj për fazën kualifikuese të Botërorit të vitit 2019.

Në shortin e hedhur në Nyon të Zvicrës, skuadra jonë përfaqësuese e pa veten në grupin 2, së bashku me Zvicrën, Skocinë, Poloninë dhe Bjellorusinë, një sfidë kjo vërtet e fortë për vajzat e drejtuara nga Armir Grima.

Në fazën finale të Botërorit të vitit 2019, që do të zhvillohet në Francë, do të jenë 8 skuadra, që do t’i bashkohen ekipit transaplin në ngjarjen më të rëndësishme të futbollit të femrave.

Ndeshjet do të zhvillohen me sistemin vajtje-ardhje dhe do të nisin më 11 shtator të këtij viti, për t’u mbyllur më 4 shtator të vitit të ardhshëm.

Në fazën kualifikuese janë 7 grupe, ndërsa në fazën finale kalojnë ekipet fituese të secilës prej tyre, ndërkohë që 4 ekipet e dyta më të mira do të përballen në dy raunde “play off”-i për të përcaktuar edhe skuadrën e 8 që do të shkojë në Francë.

Top Channel