Gara e Rusisë në F1, McLaren me ndryshime ne motor

25/04/2017 00:00

Motori termik i sistemit të rikuperimit të energjisë i njohur me siglën MGU-H, është fajtori i madh i problemeve të besueshmërisë të shfaqura në motorin Honda te skuadrws McLaren në këtë fillim sezoni në Botërorin e Formula 1.

Skuederia britanike ka mundur të mbyllë garën vetëm 1 herë dhe ajo ndodhi në Australi, ndërkohë që këtë fundjavë do të zhvillohet Çmimi i Madh i Rusisë.

Në prag të kësaj gare, Honda ka përgatitur ndryshime që pritet të sjellin përmirësime në paraqitjen e McLaren në pistë. Këto ndryshime u aplikuan në ditën e fundit të testeve të zhvilluara në Bahrein dhe duket se kanë funksionuar duke qenë se Stoffel arriti që të kryejë 81 xhiro me makinën e tij, gjë që nuk kishte ndodhur më parë.

Mësohet se ndryshimet u bënë në një sërë pjesësh të motorit Honda që kishin lidhje me besueshmërinë e tij. Duke parë rezultatet e arritura mendohet se sistemi i ri MGU-H do të aplikohet përfundimisht edhe në garë duke nisur nga ajo e kësaj fundjave në Rusi.

“Garat e fundit kanë qenë më të vështira nga sa prisnim”, tha Eric Boullier. “Nuk kemi përjetuar në asnjë moment fundjava pa probleme dhe tashmë kemi bërë hapin e parë për të përmirësuar rendimentin. Honda po punon shumë për të gjetur zgjidhjet për problemet me MGU-H dhe ne duhet të sigurohemi që të paktën të mund të mbyllim garat me të dyja makinat. Në Sochi shkojmë me një parandjenjë shumë më pozitive se ajo qe kishim per garen në Bahrein”.

Top Channel