Arabia Saudite do të mbrojë të drejtat e grave

25/04/2017 00:00

Arabia Saudite është zgjedhur njëra prej 45 anëtarëve të Komisionit të Kombeve të Bashkuara për promovimin e barazisë gjinore dhe të drejtave të grave në botë.

Vota ka ngjallur reagimin e organizatave dhe shoqatave për të drejtat e grave, që e kanë cilësuar votën për sauditët në këtë panel si një absurditet.

“Të zgjedhësh Arabinë Saudite për të mbrojtur të drejtat e grave është njësoj si të caktosh një piroman në krye të zjarrfikëses së qytetit”, thotë Hillel Neuer, drejtor ekzekutiv i “UN Watch”.

Mbretëria Saudite është një prej vendeve më konservatore me një politikë shtetërore të diferencimit gjinor, ku gratë privohen nga një sërë të drejtash themeltare.

Të paktën pesë vende europiane kanë votuar që Arabia Saudite të votohej anëtare në këtë Komision dhe ka nga ata që e mirëpritën këtë rezultat.

“Është e rëndësishme që të mbështesim ata që po punojnë për të ndryshuar gjendjen e grave në Arabinë Saudite dhe gjërat po ndryshojnë, megjithëse me ngadalë”, tha Helen Clark, ish-administratore e Programit të Zhvillimit të OKB-së dhe kryeministre e Zelandës së Re.

Top Channel