Pescara bie në Serie B, por pa Memushajn

25/04/2017 00:00

Mbrëmjen e kaluar, Pescara zyrtarizoi rënien në Serie B, pasi u mposht 1-4 nga Roma dhe matematikisht tashmë nuk ka asnjë mundësi për të shpresuar që të qëndrojë mes më të mirëve në Itali.

Megjithatë, e kundërta mund të thuhet për kapitenin e kësaj skuadre, mesfushorin shqiptar Ledian Memushaj. Sipas mediave italiane, mesfushori i kombëtares shqiptare është objektiv i Bolonga-s, që kërkon një lojtar me tiparet e 30-vjeçarit vlonjat për të zëvendësuar një tjetër futbollist me origjinë shqiptare, Blerim Xhemailin, i cili do të transferohet te Montreal Impact në MLS.

Do të jetë pikërisht Memushaj dhurata e parë e merkatos verore për trajnerin Roberto Donadoni, i cili e vlerëson shqiptarin për cilësitë organizative, aftësitë për të dhënë asist dhe goditur portën.

Memushaj është një nga lojtarët me më shumë minuta te Pescara në këtë sezon, teksa në 31 ndeshje ka mundur të shënojë një gol dhe të asistojë në tre raste shokët e skuadrës.

Tashmë mbetet për t’u parë hapja e merkatos nëse lojtari shqiptar do të mbesë mes më të mirëve në Itali edhe për sezonin e ardhshëm.

Top Channel