Brexit, laburistët: Do ta grisim planin e konservatorëve

25/04/2017 00:00

Laburistët në Britani deklarojnë se do ta “grisin” planin e kryeministres May për realizimin e “Brexit” dhe se në mënyrë të njëanshme do të garantojnë të drejtat e qytetarëve të BE-së nëse vijnë në pushtet në zgjedhjet e parakohshme.

Ministri hije për Brexit, siç njihet ndryshe dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja, Keir Starmer deklaroi se laburistët do të insistojnë për një marrëveshje ndryshe, që i jep prioritet vendeve të punës dhe të drejtave të punëtorëve.

Gjithashtu, ata do të kërkojnë një ujdi për marrëveshjet e periudhës tranzitore, për të lehtësuar largimin e Britanisë në vitin 2019. Nga ana e tyre, konservatorët deklarojnë se ata kishin një plan të qartë për daljen nga Unioni.

Në prag të vizitës në Uells, që do të shënojë dhe hapjen e fushatës elektorale, kryeministrja May tha se vota për Brexit duhet të kishte qenë një “thirrje për zgjim për një gjeneratë politikanësh që i kanë marrë qytetarët për të mirëqënë për shumë kohë, por që ndërkohë partitë e tjera kishin mbyllur dyert”.

Konservatorët shpresojnë t’i rrëmbejnë laburistëve ulëset në Parlament më 8 qershor, në ato zona që votuan për largimin nga BE, përfshirë këtu Midlends, si dhe ato në veri-lindje e veri-perëndim të Anglisë dhe përtej Uellsit.

Në referendumin e vitit të kaluar, laburistët votuan për qëndrimin në Union.

Top Channel