Le Pen dorëhiqet nga Fronti: Do jem mbi partitë

24/04/2017 00:00

Kandidatja e ekstremit të djathtë për presidencën franceze, Marine le Pen lajmëroi se do të lërë drejtimin e partisë së saj Fronti Kombëtar.

Kjo lëvizje vjen vetëm një ditrë pasi ajo arriti në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, ku do të përballet me kandidatin e qendrës Emmanuel Macron.

“Sonte vendosa që të lë presidencën e Frontit Kombëtar. Unë do të jem mbi konsideratat partiake”, deklaroi le pen për televizonin francez France 2.

Nuk është e qartë nëse vendimi i saj do të jetë i përhershëm, ndërsa ajo deklaroi se Franca po i afrohet një momenti vendimtar. Le Pen mori drejtimin e Frontit Kombëtar në janar 2011 nga babai i saj dhe ndihmoi që kjo parti të arrijë sukses të madh në zgjedhje rajonale.

Të dielën në përballjen presidenciale Marine le Pen siguroi 7.6 milion vota, 2.8 milion më shumë sesa babai i saj Jean-Marie le Pen në vitin 2002. Partia e saj kërkon që të pakësojë emigracionin, të kufizojë tregtinë e lirë dhe të ndryshojë raportin francez me Europën.

Në fushatë ajo ka premtuar edhe masa të tjera si mbyllja e xhamive ekstremiste dhe prioritet për francezët në strehimin social, pension në moshën 60-vjeçare dhe javë pune fikse prej 35 orësh.

Por pavarësisht suksesit të saj në raundin e parë të zgjedhjeve, sondazhet e shuma parashikojnë që Presidenti i ardhshmë i Francës të jetë rivali i saj Emanuel Macron, i cili nëse ia del do të bëhet presidenti më i ri në historinë e Francës.

Top Channel