Rossi lider dhe 38 vjeç, ‘Doktori’ kampion i përjetshëm!

24/04/2017 00:00

Pak njerëz do të kishin vënë bast mbi Valentino Rosin pas testeve sezonale, por Doktori i MotoGP po i përgënjeshtron të gjithë me kryesimin e tij fantastik të botërorit pas 3 garash, një rezultat që madje ka surprizuar edhe vetë kampionin nga Tavulia.

Piloti italian mes një miksi eksperience unike dhe entuziazmi të paprekur ndër vite, mori vendin e dytë në garën e Ostin në Teksas, podiumi i tretë sezonal me Yamaha, që deri dje ishte një kalë i egër dhe tradhtonte edhe yllin tjetër në ngjitje të MotoGP, Maverik Vinjales.

38 vjeç mbi supe por centauri i motorëve duket se e ka vetëm një detaj moshën e tij të madhe krahasuar me talentet shpërthyes të pistës, madje ndalesa në SHBA i ka kthjelluar edhe më shumë idetë e Valentino Rosit për strategjitë e garave të ardhshme, tashmë në Europë.

“Jam i lumtur, por i çuditur që jam në krye të renditjes. Në garat e ardhshme kam shumë pista që më pëlqejnë edhe pse do të jetë shumë e vështirë të fitoj ndaj Markez dhe Vinjales” tha piloti italian, me fokus pistën e Herez dhe aq shumë të dashurën Assen.

Me motorin e tij numër 46 nga Aprilia te, Honda, Dukati dhe Jamaha, Valentino Rosi ka zhvilluar deri më tani 351 gara, duke fituar thuajse 1/3 e tyre. por titujt merren edhe me llogari për finishin siç po demonstron kjo nisje sezonale në MotoGP.

I prezantuar këtë vit si i treti i sikletshëm në një garë për titull që supozohej do ishte dialog, pezarezi synon të marrë për herë të dhjetë kurorën e më të mirit, atë që ia mohuan aleancat e dyshimta spanjolle, dhe shkëndijat në pistë me Mark Markez.

Në 7 Maj të gjithë do të jenë në pistë në Herez De la Frontera, e deri atëherë kryesimi i Doktorit nuk do të ndryshojë.

Top Channel