Ibra nuk dorëzohet: E vendos vet se kur do të tërhiqem

24/04/2017 00:00

Zlatan Ibrahimoviç nuk ka ndërmend të mbyllë karrierën, pas dëmtimit të pësuar në ndeshjen e “Europa League” ndaj Anderlechtit.

Sulmuesi suedez, i cili në tetor do të festojë 36-vjetorin e lindjes, foli për herë të parë për atë çfarë ndodhi dhe këtë e bëri nëpërmjet një postimi në profilin e tij në “Instagram”.

“Do ta kaloj këtë moment dhe do të kthehem edhe më i fortë”, ishte mesazhi i Ibrahimoviç.

“Shpesh kam luajtur me një këmbë dhe nuk ka qenë problem për mua. Një gjë është e sigurtë. Jam unë, ai që do të vendosë se kur do të tërhiqem. Dorëzimi nuk është opsion për mua, do të shihemi së shpejti”, deklaron suedezi.

Sipas ekzaminimeve mjekësore, Zlatan Ibrahimoviç dëmtoi në ndeshjen e mesjavës së kaluar ligamentet e gjurit të djathtë dhe do të qëndrojë jashtë fushave të lojës për 8-9 muaj.

Top Channel