“Play-off”-et e NBA, Cleveland në gjysmëfinalet e Lindjes

24/04/2017 00:00

Cleveland është skuadra e parë që kalon në raundin e dytë të “play-off”-eve në kampionatin amerikan të basketbollit, NBA.

Skuadra kampione në fuqi fitoi sërish ndaj Indianës, 106-102, për të mbyllur serinë e përballjeve me “Pacers” 4-0 dhe duke prerë biletën për gjysmëfinalet e Konferencës së Lindjes.

LeBron James, me 33 pikë e 10 topa në tabelë, dhe Kyrie Irving, me 28 pikë, i dhanë krahë Cleveland për të regjistruar edhe këtë fitore ndaj “Pacers”, të cilës i mbetet vetëm keqardhja për mungesën e saktësisë në gjuajtje nga distanca e 3 pikëve të George, që do të çonte ndeshjen në kohë shtesë.

Tani, Cleveland është në pritje të kundërshtarit të radhës, që do të dalë nga sfida mes Torontos dhe Milwaukee, e cila është në barazim të plotë 2-2.

Në Konferencën e Perëndimit, Houston i afrohet gjithnjë e më shumë kualifikimit për në raundin tjetër. Skuadra teksane fitoi ndeshjen e katërt ndaj Oklahomës në “Chesapeake Energy Arena”, me rezultatin 113-109, duke thelluar avantazhin në 3-1.

Heroi i “Rockets”, në mënyrë të papritur u bë Nene. Braziliani shënoi 28 pikë në këtë ndeshje, duke e zëvendësuar mjaft mirë James Harden, i cili ishte në hije. Për Oklahomën nuk mjaftuan 35 pikët e Russell Westbrook, për të evituar këtë humbje të “Thunders”.

Barazohet situata edhe në përballjen mes Bostonit dhe Chicagos. Në “United Center”, “Celtics” iu imponua “Bulls”-ave, duke i mposhtur me rezultatin 104-95, për ta çuar bilancin e përballjeve mes tyre në 2-2.

Bostoni fitoi periodën e parë 30-18 dhe kjo duket se i mjaftoi  për të siguruar këtë sukses. Thomas me 33 pikë dhe Horford me 12 topa në tabelë ishin më të mirët në parket për Bostonin, ndërkohë që për Chicagon spikati Jimmy Buttler me 33 pikë, statistika që nuk shërbyen aspak në fund të ndeshjes.

Ekuilibri vihet edhe në përballjen mes Los Ageles Clippers dhe Utah Jazz, me këtë të fundit që fitoi sfdën e katërt me rezultatin 105-98, duke e çuar serinë e ndeshjeve në 2-2. Johnson ishte më i miri për Utah me 28 pikë të shënuara, ndërkohë që për “Clippers”, Paul e mbylli sfidën me 27 pikë e 12 asiste.

Top Channel