“Madame Frexit”, kandidatja që tremb Europën

23/04/2017 00:00

Dita e raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale ka mbërritur, në një Francë që del në votime ende e tronditur nga sulmet terroriste dhe me një paqartësi të madhe për rezultatin.

Sondazhet tregojnë 4 kandidatë; Le Pen, Melenchon, Fillon dhe Macron; me diferencë të vogël mbështetjeje nga njëri-tjetri, e që të gjithë me mundësinë për të dalë në balotazh.

Ajo që frikëson më shumë Europën është një fitore e mundshme e ekstremistes së djathtë, Marine Le Pen, e cila beson te mundësitë e saj për të fituar, kjo edhe pas pikëve të fituara pas sulmit terrorist në “Champs Elysee”, ku humbi jetën një oficer policie.

Por, me vendin në alarm ndërsa zgjedhësit shkojnë në votime, 48-vjeçarja Le Pen, e quajtur edhe “Madame Frexit” për shkak të kërcënimit për të ndjekur shembullin e Britanisë, është akuzuar se ka shfrytëzuar sulmin për qëllimet e saj.

Fushata e Le Penit është dominuar nga retorikat antiislamike dhe antiemigracion, ndërsa kritikët thonë se ajo ka shfrytëzuar dhunën për të nxitur edhe më shumë urrejtje.

Më pranë saj në sondazhe është kandidati i qendrës, Emmanuel Macron, 39 vjeç, një mbrojtës i vendosur i tregut të përbashkët. Por analistët thonë se, beteja për Pallatin e Elizesë nuk është një garë me dy kuaj.

Le Pen ka lëvizur nga 22 në 23 për qind në sondazhet e fundit, ndërsa 3 rivalët e saj, të gjithë kanë humbur nga pak mbështetje. Macron ra në 24.5 për qind, ndërsa kandidati republikan François Fillon, dhe ai i majtë Jean-Luc Melenchon, janë në kuotën e 19 për qind të votave.

E ndërsa mundësia që Le Pen të mbërrijë në raundin final kundër kandidatit të qendrës shqetëson Brukselin, situata rëndohet edhe nga rritja e kandidatit të së majtës ekstreme, Jean-Luc Melenchon, javët e fundit.

Edhe ai kërkon rinegociim të anëtarësisë së Francës në BE. E ashtu siç është shprehur ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schauble, ideja e një raundi final Le Pen-Melenchon do të ishte një makth i vërtetë. Sidoqoftë, në vitin që pason vendimin e Britanisë për të dalë nga Bashkimi Europian dhe dërgimin e Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, gjithçka mund të ndodhë…

Top Channel