40 ditët horror të Interit. Nga Atalanta, në Firence

23/04/2017 00:00

Disfata emocionuese në fundin e një ndeshjeje të çmendur në stadiumin “Artemio Franki” i kufizoi mundësitë e Interit për pjesëmarrjen në kupat europiane, e siç e quajti trajneri Pioli, shkatërroi vetëbesimin e ngritur me mund në kampin zikaltër.

Por nëse më 12 mars, Inter shkatërronte Atalantën në “San Siro” 7-1, duke dhënë falas ëndrra për Champions, pas rrjetës së mbrojtur nga Etrit Berisha nisi edhe parabola e rrezikshme që kulmoi me disfatën ndaj Fiorentinës.

Para një muaji, Championsi ishte vetëm 6 pikë larg, por sot tifozët e Interit shohin të sfumohet ngadalë edhe mundësia për kupën më të vogël të Europës. Mauro Icardi shënoi 3 gola, si në “San Siro”, ashtu dhe në Firence, por në 90-minutëshin e fundit ishin vetëm për statistikë, pasi tashmë zikaltrit po numërojnë se deri kur do të zgjasin ditët horror, që janë ndalur në 40 për momentin.

Mesatarja e pikëve të trajnerit Pioli në këto 40 ditë i ngjan asaj të holandezit De Boer. Edhe pse janë larg vendeve që pretendonin, ajo mes Fiorentinës dhe Interit ishte një përballje e drejtpërdrejtë dhe 5 golat në transfertë konfirmuan një tjetër pikë të dobët të Interit, që nuk fiton dot në ndeshjet që vlejnë.

Dy barazime në derbi, humbje me Lacion në Kupën e Italisë, e po kështu dhe në Serie A ndaj Juves, Romës, Napolit e tashmë dhe Fiorentinës. Plot 5 javë nga fundi, misioni i vërtetë i Interit bëhet ai për të mos degjeneruar në një ekip që bie poshtë në renditje, e kjo bëhet reale, kur në ndeshjen tjetër përballë është Napoli.

Top Channel