Trump, Putin dhe Papa Françesku

23/04/2017 00:00

Një përfaqësim i gjerë i familjes Trump, ku përveç presidentit amerikan edhe vajza Ivanka apo dhëndrri Jared Kushner, dhe administratës së tij, nga Steve Bannon deri te James Mattis, por vetëm një udhëheqës fetar, Papa Françesku.

Lista e 100 personazheve me më shumë ndikim në botë, e hartuar edhe këtë vit nga “Time”, vlerëson politikën, ndërsa lë pak hapësirë jo vetëm për kurimin e shpirtrave, por edhe për botën e teknologjisë dhe sportet, pavarësisht se në të përfshihet edhe futbollisti Neymar, një kampion basketbolli si LeBron James, si dhe Tom Brady për futbollin amerikan.

Revista, që zgjedh protagonistë që janë në gjendje të ndryshojnë gjërat në të mirë e në të keq, pohon se do të vlerësojë inovatorët që mesa duket nuk vijnë më nga “Silicon Valley”.

Mes 100 emrave gjejmë Bezos të Amazonës dhe shefin e “Snapchat”-it, Evan Spiegel, por asnjë emër nga Google, Facebook, Apple apo gjigantë të tjerë dixhitalë.

Interesante janë disa prej kombinimeve të personazheve të zgjedhura për të shkruar minibiografitë. Ajo e presidentit rus Vladimir Putin është shkruar nga paraardhësi i tij, Mikhail Gorbachev, dhe për hir të së vërtetës nuk përmban shumë elozhe.

Kryetari i Dhomës së Deputetëve, Paul Ryan ka shkruar minibiografinë për presidentin Trump. Mirë është shkruar edhe për Ivankën, kjo edhe për faktin se autore është mikja e saj, Wendi Murdoch, ndërsa i matur është gjykimi për të shoqin, dhënë nga i madhi i politikës së jashtme amerikane, Henry Kissinger. Kushner ka aftësi dhe avantazhe që do ta ndihmojnë, por është e vështirë të fluturosh pranë diellit.

Top Channel