Një jetë për arsimin. Përkujtohet 100-vjetori i Kahreman Yllit

22/04/2017 00:00

Emri i profesor Kahreman Yllit ka një vend nderi në botën akademike shqiptare. Kahreman Ylli u lind në një familje patriotike në fshatin Leshnjë, në Skrapar dhe u bë pjesë e Luftës Antifashiste.

I diplomuar në vitin 1938 në Lion të Francës, profesor Ylli solli në Shqipëri dijen dhe përvojën në Shqipërinë e pasluftës, e zhytur në analfabetizëm.

Ishte analfabetizmi për të cilin ai punoi për ta zhdukur e më pas për ndërtimin e sistemit arsimor shqiptar. Krijues i Universitetit të Tiranës, ish-rektor i tij, ministër Arsimi dhe diplomat, profesor Kahreman Ylli është kujtuar në 100-vjetorin e lindjes së tij.

Bashkia e Çrovodës organizoi ceremoninë në nder të tij e më pas në Rektoratin e Universitetit të Tiranës, akademikë e historianë treguan punën dhjetëravjeçare të njeriut që ishte edhe një diplomat i shkëlqyer.

“Në fushën e arsimit angazhimi i tij është i jashtëzakonshëm. Që nga lufta ndaj analfabetizmit, që nga krijimi i tre instituteve të larta, që ishin bërthama e krijimit të Universitetit të Tiranës, kontributin e tij për krijimin e Akademisë së Shkencave, për përparimin e shkencave albanologjike e deri në përkrahjen për Universitetin e Prishtinës. Një respekt dhe mirënjohje të veçantë meriton gjithë familja Ylli, sepse ata të gjithë vazhdojnë këtë rrugë shumë të mirë dhe janë shembuj pozitivë në vendet ku jetojnë e punojnë”, deklaroi kryetari i Kuvendit, Ilir Meta.

“Ai qe analisti i parë në Shqipëri i dukurive të historisë së arsimit dhe mendimit pedagogjik shqiptar. Ai mbetet një figurë e shquar në plejadën e intelektualëve shqiptarë të shekullit të kaluar, një figurë që na frymëzon edhe zot për të avancuar më tej arsimin shqiptar dhe kërkimin shkencor”, tha ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla.

Akademikët kujtuan veprën e profesorit jo vetëm në arsim. Historiani Pëllumb Xhufi tregoi angazhimin e profesor Yllit si diplomat në disa momente historike të Shqipërisë, siç ishte edhe Konferenca e Parisit dhe në gjyqin ndërkombëtar të Hagës ku mbrojti Shqipërinë.

“Ai është një njeri i madh, pluridimensional, që ka ndjekur ngjarje të mëdha siç ishte konferenca e paqes në Paris, gjyqi ndërkombëtar i Hagës për anijet britanike që u dëmtuan në Kanalin e Korfuzit. Ai ka qenë njeriu që me njohuritë e tij zgjodhi njerëzit e duhur për të mbrojtur kauzën shqiptare”, tha Pëllumb Xhufi.

Kujtimi i veprës së profesor Kahreman Yllit ishte një moment i rëndësishëm edhe për familjarët e tij.

“Kam kaluar kaq vite dhe është emocion i veçantë që ne gjithmonë e kemi kujtuar. Por ne na emocionon pa masë kujtimi që i bëjnë njerëzit tanë, miqtë tanë, njerëzit e shkencës, shkollave dhe gjithë arsimit. Ky është një emocion i veçantë për ne. Një ndjesi tjetër është edhe krenaria. Unë ndihem krenar për dy gjëra, që i kam vënë re nga ky takim dhe raste të tjera, që im atë e deshi shumë vendnlindjen dhe njerëzit. Sa herë vinte në vendlindje lumturohej”, u shpreh Artan Ylli, i biri.

Top Channel