FA Cup, Chelsea skuadra e parë finaliste

22/04/2017 00:00

Chelsea është skuadra e parë finaliste e Kupës së Anglisë. Në “Wembley” të Londrës, skuadra e drejtuar nga Antonio Conte iu imponua Tottenhamit në derbin e kryeqytetit teksa e mposhti 4-2.

Chelsea e gjeti shumë shpejt golin e avantazhin, që në minutën e pestë me brazilianin Willian. Tottenham nuk ndenji duarkryq dhe pas 13 minutash barazoi gjithçka me Harry Kane. Ekuilibri në rezultat zgjati deri në minutën e 43 kur Chelsea fitoi një 11-metërsh që u konvertua në gol nga Willian për të cilin ky ishte goli i dytë personal.

Tottenhami edhe këtë radhë nuk hoqi dorë dhe në fillimin e pjesës së dytë barazoi shifrat në 2-2 me Dele Alli. Ata që menduan t’i dhuronin biletën e finales Chelseat ishin Eden Hazard dhe Matic, të cilët ndëshkuan sërish portierin e Tottenhamit duke shënuar golin e tretë dhe të katërt të sfidës.

Tashmë Chelsea pret i qetë kundërshtarin e tij për finalen e 27 majit që do të dalë nga sfida mes Arsenalit dhe Manchester City.

Top Channel