Bayern ndalet në “Allianz Arena” nga Mainzi

22/04/2017 00:00

Pas eliminimit nga Champions League në mesjavë, Bayern Munchen ka “ngecur” edhe në Bundesligën gjermane, në një barazim 2-2 në “Allianz Arena” ndaj Mainz.

Për bavarezët u mendua se do të kishin të lehtë ndaj Mainz-it, i cili ndodhet në vendin e 13 në renditje, por miqve ju mjaftuan vetëm 3 minuta për të ndëshkuar Bayern-in, me një gol të shënuar nga ish-lojtari i Barcelonës, Bojan Krkic.

Robben riktheu baraspeshën në minutën e 16, por Mainzi kaloi sërish në avantazh me anë të 11-metërshi të kthye në gol nga Brosinski, 5 minuta para fundit të pjesës së parë.

Bayerni bëri të gjitha përpjekjet në pjesën e dytë për të siguruar fitoren në këtë ndeshje, por arriti të shënojë vetëm golin e barazimit në minutën e 73 me Thiago Alcantara.

Megjithatë, pavarësisht këtij barazimi, Bayerni ka një distancë prej 9 pikësh nga Leipzig-u i vendit të dytë, i cili ndeshjen e kësaj jave do ta zhvillojë ditën e nesërme në transfertë ndaj Schalke 04. 

Top Channel