E djathta gjermane, protesta gjatë kongresit të AfD

22/04/2017 00:00

Tensionet kanë qenë të larta mes forcave policore dhe protestuesve të majtë në qytetin Këlnit të Gjermanisë, ku mbahet Kongresi i partisë kundër emigrantëve, AfD.

Rreth 600 delegatë të saj u mblodhën në takimin që synon të zgjedhë bashkëkryetarin e të diskutojë linjën që do të ndiqet në zgjedhjet e përgjithshme të shtatorit.

4.000 efektivë ishin angazhuar të ruanin qetësinë në qytet, por situata u ndez shpejt. Dy policë kanë mbetur të plagosur prej flakadanëve të lëshuar nga turma;  njëri prej tyre u lëndua ndërsa shoqëronte një anëtar të Alternativës për Gjermaninë. Raportet në mediat vendase flasin për disa të arrestuar.

E përditshmja gjermane “Bild” thotë se gati 10.000 demonstrues janë grumbulluar sakaq në qytet, ku shumë dyqane kanë ulur qepenat e ku fluturojnë pa reshtur helikopterë të policisë. Tubuesit thërrisnin “solidaritet do të thotë rezistence”, e mbanin në duar pankarta ku shkruhej: “boll më! të bashkuar kundër fashizmit”. Bashkëdrejtuesja e Partisë Populiste të krahut të djathtë, Frauke Petry mori një goditje të fortë që në çeljen e kongresit kur delegatët votuan kundër mocionit të saj, i cili parashikonte aleanca me parti të tjera në të ardhmen në vend që AfD-ja të mbetet forcë afatgjate në opozitë.

Kritikët kundërshtojnë çdo ndarje në linja të tilla. Pas një lufte të ashpër disa mujore për kontrollin e partisë, Petry njoftoi të mërkurën se nuk do ta drejtojë ajo fushatën e partisë në zgjedhjet e përgjithshme. Sondazhet e kohëve të fundit kanë treguar që të gjitha një rënie të mbështetjes për AfD-në.

Top Channel