“Play-off”-et e NBA, “ringjallen” Boston e Oklahoma

22/04/2017 00:00

Boston dhe Oklahoma rihynë në garën e kualifikimit për në raundin e dytë të playoffit në NBA. Në United Center të Chicagos, skuadra e Celtics arriti të fitojë ndaj vendasve bindshëm me rezultatin 104-87 për ta shkurtuar diferencën në serinë e përballjeve me  skuadrën nga Illinois në 2-1.

Chicago në këtë sfidë nuk kishte në dispozicion Rajon Rondo i cili kishte pësuar një dëmtim në gisht dhe duket se e ndjeu mungesën e tij. Ndërsa në krahun tjetër Boston besoi plotësisht te Thomas, i cili u paraqit në kohë në parket pas funeralit të së motrës.

Basketbollisti shënoi 16 pikë në startin perfekt të Bostonit që regjistroi rezultatin e pjesshëm 33-15. Bulls reagoi në periodën e dytë, por pas pushimit të ndeshjes Boston vuri sërish diktatin e tij.

Në këtë përballje, më i miri për Boston ishte Al Horford me 18 pikë, ndërsa për Chicagon ishte Wade që shënoi 18 pikë, ndërsa Jimmy Butler shënoi 14 pikë.

U ringjall edhe Oklahoma, që në Chesapeake Energy Arena mposhti Houston me rezultatin 115-113 duke i rihapur të gjitha llogaritë e kësaj përballjeje. Russell Westbrook këtë radhë arriti të fitoje sfiden  me James Harden, edhe pse ky i fundit e mbylli sfidën me 44 pikë. Basketbollisti i Thunder në këtë ndeshje regjistroi një bilanc me 32 pikë, 13 topa në tabelë e 11 asist, por ai u ndihmua edhe nga Gibson me 20 pikë e Robertson e Oladipo me nga 12 pikë secili.

LA Clippers kthen në favorin e saj situatën në këtë ruand të parë të fazës së playoffit. Skuadra kaliforniane fitoi sërish ndaj Utah Jazz këtë radhë në fushën e kësaj të fundit me rezultatin 111-106 dhe tani kryeson serinë e përballjeve me të në 2-1.

Ishte Utah ajo që e nisi më mirë sfidën teksa mori kryesimin në 34-21 në periodën e parë të ndeshjes falë 21 pikëve të Gordon Hayward. Por Clippers i drejtua nga DeAndre Jordan e Chris Paul, e përmbysi disavantazhin  për të arkivuar përfundimisht fitoren. I vetmi shqetësim për LA Clippers është dëmtimi në këmbën e djathtë  i Blake Griffin që e detyroi atë të qëndrojë në pankinë në pjesën e dytë të sfidës.

Top Channel