U përplas nga furgoni, vdes çiklisti italian

22/04/2017 00:00

Tragjedia prek çiklizmin italian. U nda nga jeta në moshën 37-vjecare, çiklisti italian i skuadrës Astana, Michele Scarponi.

Kampioni i Giro D’Italias në vitin 2011, ishte duke u stërvitur teksa iu përplas nga një furgon në mëngjesin e kësaj të shtune duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Lajmi u konfirmua mes loteve nga Presidenti i Federatës Italiane të Çiklizmit, Renato di Rocco.

Mësohet se në momentin e përplasjes drejtuesi i furgonit nuk e kishtë vënë re Scarponin kur ai i kishte prerë rrugën. Në harkun e pak minutave ambulanca u dërgua në vendngjarje, ndërkohë që edhe një helikopter ishte nisur në atë drejtim, por ishte e pamundur për ta mbajtur në jetë 37-vjeçarin. Anestezisti nuk mundi të bëjë gjë tjetër veçse të konfirmojë vdekjen e çiklistit.

Vetëm 5 ditë me parë, Scarponi kishte fituar etapën e parë të Turit të Alpeve në Austri, ndërkohë që evenimentin e mbylli në vendin e 4 në klasifikimin e përgjithshëm.

Profesionist që nga viti 2002, Scarponi u shpall fitues i Giro D’Italias pas skualifikimit të Alberto Contador. Këtë vit është edicioni i 100 i këtij evenimenti dhe Scarponi do të merrte pjesë si kapiteni i Astanës, duke qenë se Fabio Aru u detyrua të deklaronte tërheqjen.

Top Channel