“Brexit”, Brukseli kërkon t’i vërë frè Britanisë pas largimit

21/04/2017 00:00

Britanisë do t’i duhet t’i paguajë detyrime Brukselit për shumë vite pas “Brexit”-it, do të mbetet nën juridiksionin e gjykatave europiane dhe do të vazhdojë të lejojë të afërmit e emigrantëve europianë që të jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar.

Këto kërkesa shkruhen në një dokument sekret të BE-së, të parë nga agjencia e lajmeve “Reuters”, që shërben si udhëzues për kryenegociatorit europian Michael Barnier, i cili do të nisë bisedimet për “Brexit” pas zgjedhjeve të 8 qeshorit në Britani.

Fundi i lëvizjes së lirë për punonjësit nga vendet e BE-së, i kontributeve për Brukselin dhe mbikëqyrjes së Gjykatës Europiane të Drejtësisë janë thelbësore për planet e Theresa Mayt për t’u larguar nga blloku, largim që duhet të ndodhë në vitin 2019, pas dy vitesh negociata.

Por dokumenti, që shpreh pozicionin e ashpër të 27 anëtarëve të BE-së, tregon qartë se qëllimi i Brukselit është të mbrojë të drejtat e 3 milionë qytetarëve të BE-së që jetojnë në Britani, të marrë parà nga Londra për shumë angazhime ekzistuese dhe të sigurohet se gjykatësit europianë do ta bëjnë Londrën t’i bindet traktatit pas “Brexit”-it.

Kërkesat që përmbahen në dokument janë një shuplakë e fortë ndaj zotimeve të Mayt, mbi të gjitha atij për t’i dhënë fund juridiksionit të gjykatës europiane në Britani, diçka që kryeministrja britanike pritet ta përmendë edhe në fushatë.

Një tjetër pikë e fortë debati duket se do të jenë të drejtat e qytetarëve europianë në Britani pas “Brexit”, sepse në dokument shkruhet se ato do të përcaktohen bazuar në ligjet e BE-së. Sipas “Reuters”, dokumenti iu dërgua 27 kryeqyteteve të BE-së më 31 mars. Dokumenti nuk përfshin udhëzime për marrëveshjet e ardhshme tregtare, por trajton vetëm çështjet urgjente pas largimit të Britanisë.

Top Channel