“Fiks Fare”, skandal në Lezhë. Bashkia shkarkon punonjësin pa vendim zyrtar

21/04/2017 00:00

“Fiks Fare” denoncoi rastin e një inspektori pyjesh në Njësisë Administrative Balldren, në Bashkinë Lezhë, i cili prej më shumë se një viti është pushuar nga puna pa një vendim zyrtar largimi. Në vend të tij janë punësuar dy persona pa arsim përkatës.

Gjokë Kovaçi u ankua në emisionin “Fiks Fare” se është pushuar padrejtësisht nga puna. Ai tregon se ka punuar 35 vite si inspektor pyjesh dhe para një viti u njoftua për shkëputje të marrëdhënieve financiare, por kurrë nuk mori një vendim largimi.

Ai thotë se, në vendin e tij janë punësuar dy persona pa arsimin përkatës.

Gazetarët e “Fiksit” shkuan për një përgjigje në Bashkinë e Lezhës. Përgjegjësi i Burimeve Njerëzore, Pjetër Marku tha për “Fiksin” se Gjokë Kovaçi është hequr nga puna për shkak të ristrukturimit të bashkisë.

“E kemi vendimin e largimit”, këmbëngul në fillim të intervistës Marku, por pastaj u shpreh se nuk e kishin. “Nuk i kemi dhënë vendim largimi”, mohon më tej fjalën e tij.

Për punësimin e dy personave të tjerë, pa arsim përkatës, Pjetër Marku justifikohet se janë më afër vendit të punës. “Punësuam ata të dy sepse janë më afër shtëpisë, kështu e menduam me arsim të mesëm bujqësor”, thotë Pjetri.

Marku tregon se njëri nga të punësuarit vazhdon ende shkollën e lartë, e për këtë sipas tij kanë një dokument që e vërteton këtë gjë. I zënë ngushtë nga gazetarët, që i kërkuan dokumentin, përgjegjësi i Burimeve Njerëzore u ngrit në këmbë dhe u largua nga intervista.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel