Mattis: S’kemi dyshime. Siria ka ende armë kimike në zotërim

21/04/2017 00:00

Nuk ka aspak dyshim se Siria ka mban ende armë kimike. Kjo është në thelb deklarata e Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, James Mattis, gjatë një vizite të tijën në Izrael.

Gjenerali Mattis tha gjithashtu se qeveria siriane ka transferuar aeroplanët e saj gjatë ditëve të fundit. Sipas tij, Bashar al-Assadi do të “këshillohet keq”, nëse do të përpiqet të përdorë sërish armët kimike, pas sulmit të 4 prillit që la të paktën 80 persona të vdekur.

Presidenti sirian, Bashar al-Assad ka thënë se pretendimet për atë sulm janë 100 për qind të fabrikuara. Por Shtetet e Bashkuara u kundërpërgjigjën ndaj sulmit në Khan Sheikhoun me një sulm raketash mbi një bazë ajrore siriane.

Gjenerali James Mattis akuzoi qeverinë siriane se kishte shkelur marrëveshjen e vitit 2013 për të dorëzuar të gjithë arsenalin e armëve kimike te përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar.

“Në mendjet e komunitetit ndërkombëtar nuk ekziston asnjë dyshim se Siria ka mbajtur ende armë kimike, në shkelje të marrëveshjes dhe deklaratës së saj, se i kishte dorëzuar të gjitha ato”, tha ai. “Kjo çështje gjithsesi duhet të zgjidhet në mënyrë diplomatike”, u shpreh Sekretari i Mbrojtjes, në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun e tij izraelit, Avigdor Lieberman.

Mattis refuzoi të komentonte mbi sasinë e armëve kimike në zotërimin e Sirisë, sipas asaj që beson ai. Por zyrtarë izraelitë të Mbrojtjes kanë thënë për mediet lokale se, vlerësimet e shërbimeve të tyre sekrete sugjerojnë se presidenti Assad ka ruajtur rreth një deri në 3 tonë substanca të ndaluara.

Komentet e Mattis vijnë pas sulmit të fundit me raketa “Tomahaëk” të urdhëruar nga presidenti Trump kundër bazës ajrore siriane, si raprezalje ndaj sulmit me armë kimike ndaj qytetit të kontrolluar nga rebelët, Khan Sheikhoun.

Organizata për Parandalimin e Armëve Kimike deklaroi këtë javë se “rezultatet e pakundërshtueshme të testimit” të mostrave të viktimave nga ai sulm treguan se është përdorur agjenti nervor sarin, ose një substancë e ngjashme me të.

Aleati kryesor i Sirisë, Rusia tha se sulmi ajror i forcave qeveritare siriane kishte goditur një depo ku ruheshin armë kimike të rebelëve, por ky pretendim është refuzuar nga komuniteti ndërkombëtar. Gjenerali Mattis u pyet edhe mbi raportimet se forcat siriane kanë transferuar avionët e tyre në një bazë ajrore ruse në Siri.

“Nuk ka asnjë dyshim, gjithashtu, se ata i kanë dislokuar avionët e tyre gjatë ditëve të fundit”.

Top Channel