Veseli, bisedë me Hoyt Yee: Demarkacioni, në Kuvend javën e ardhshme

21/04/2017 00:00

Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli ka zhvilluar këtë të premte një bisedë telefonike me zv.ndihmës Sekretarin e Shtetit, Hoyt Brian Yee, me të cilin kanë diskutuar mbi zhvillimet politike në Kosovë dhe bashkëpunimin dypalësh me Amerikën.

Sipas asaj që njoftohet nga zyra për Informim e Kuvendit të Kosovës, diplomati amerikan Hoyt Yee e ka përgëzuar Veselin për lidershipin e treguar në vendimmarrje, e veçanërisht për partneritetin e treguar sa i përket Forcës së Sigurisë së Kosovës, që kjo e fundit të kthehet në ushtri në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë bisedës telefonike, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Veseli është shprehur se institucionet e vendit do të duhet të ndërmarrin vendime të mëdha. Në këtë drejtim, ata ranë dakord se Demarkacioni duhet të procedohet nga qeveria për miratim në Kuvend javën e ardhshme.

Veseli dhe Hoyt Yee kanë bisedimet edhe për reformën në drejtësi, për të cilën të gjitha institucionet duhet të angazhohen, në mënyrë që kjo reformë të jetë e suksesshme.

Veseli e ka falënderuar diplomatin Hoyt Yee për mbështetjen e vazhdueshme amerikane për Kosovën, teksa e ka ftuar sërish për një vizitë në Prishtinë, rikthim që e ka konfirmuar edhe vet diplomati amerikan.

Top Channel