Afrikë e Jugut, 20 nxënës humbin jetën pas aksidentit rrugor

21/04/2017 00:00

Të paktën 20 nxënës shkolle kanë humbur jetën, pasi minibusi i tyre është përplasur me një kamion në Afrikën e Jugut, sipas shërbimeve të emergjencës. Minibusi shpërtheu menjëherë në flakë dhe përfundoi i anuar në mes të rrugës.

Rreth 13 fëmijë, që u gjetën të bllokuar brenda mjetit nga ekipet e shpëtimit pas flakëve, u nxorën jashtë dhe u shpallën të vdekur në vendngjarje.

Disa nxënës të tjerë u plagosën, disa prej të cilëve, sipas raportimeve, u nxorën nga rrënojat nga njerëzit përreth që shkuan menjëherë në ndihmë të tyre.

Tragjedia ndodhi në një rrugë mes qyteteve Bronkhorstspruit dhe Verena, 72 km larg kryeqytetit Pretoria, në provincën Mpumalanga.

Një zëdhënës i shërbimeve mjekësore, Russel Meiring tha se tashmë është e konfirmuar që 20 fëmijë kanë ndërruar jetë. “Ekipet e ndihmës së shpejtë shkuan menjëherë në vendngjarje, aty ku gjetën shërbimet zjarrfikëse ende në pritje. E pasi shuan flakët nga automjeti, nuk mbeti gjë tjetër veçse të shihje tragjedinë”, tha ai.

Top Channel