“Dueli Ferrari-Mercedes i bën shumë mirë Formulës 1”

21/04/2017 00:00

Fillimi i këtij sezoni në Formulën 1 ka konfiguruar një duel të fortë mes Ferrarit dhe Mercedesit. “Kokëkuqja” italiane për momentin është në avantazh, me dy fitore të Vettel kundrejt një të Hamilton.

Vetë drejtori i Mercedesit, Totto Wolff ka pranuar se rivaliteti mes këtyre dy skuderive është pozitiv për kampionatin e Formulës 1, edhe pse nuk i vjen mirë për këtë avantazh të lehtë të “Kokëkuqes”.

“Kur humbet, ndihesh keq, ndërsa kur fiton je në qiellin e shtatë. Në këtë moment, ne të gjithë jemi pak me moral të rënë, por në momentin që kthehemi te fitorja përjetojmë një ndjenjë shumë të këndshme. Gjithsesi, për Formulën 1, fakti që po luftohet mes Ferrarit dhe Mercedesit është diçka pozitive. Duhet ta shohim këtë me sportivitet”, tha Wolff.

Mercedesi këtë vit po përballet me një tjetër situatë të cilën nuk e kishte përjetuar më parë, rivalitetin me pilotë nga skuadra të tjera dhe Wolff theksoi se skuadra e tij do të jetë në nivelin e duhur të kësaj sfide.

“Në 3 vitet e fundit kemi pasur një luftë të brendshme për titull dhe tani po përballemi me një situatë të re. Ne do të jemi në gjendje që ta administrojmë atë. Shoh aspekte pozitive, jemi në garë për të fituar gara e titullin dhe kjo përbën një lajm të mirë”, tha Wolff.

Top Channel