FSHF, “dorë e hekurt” ndaj Domosdovës

21/04/2017 00:00

Federata Shqiptare e Futbollit vepron me dorë të hekurt ndaj skuadrës së Domosdovës, futbollistët e së cilës u bënë protagonistë të një skene të fortë dhune në ndeshjen me Tepelenën, kur goditën arbitrin.

Komisioni i Disiplinës, pasi shqyrtoi të gjitha faktet e provat, vendosi që t’i japë fitoren në tavolinë 3-0 Tepelenës, ndërkohë që Domosdovës i hoqi 3 pikë.

Dënime të ashpra u dhanë edhe ndaj futbollistëve Kristian Lleshi, Erjon Duka dhe Ardit Facja. Kështu, Kristian Lleshi, për kërcënim dhe për goditjen me grusht ndaj arbitrit, që pati pasoja të rënda, u pezullua përjetë nga të gjitha aktivitetet futbollistike.

Erjon Duka u dënua me 2 vjet pezullim për dhunën e ushtruar ndaj gjyqtarit, ndërsa Ardit Facja u pezullua 3 vjet nga fushat e lojës. Akuzat për Facjan janë nxitja e urrejtjes dhe dhunës si dhe pështyrja e zyrtarit të sfidës.

Top Channel