“Fqinji” i frikshëm në Kanada

20/04/2017 00:00

Qyteza e vogël dhe e largët Ferryland nuk e njihte problemin e trafikut deri së fundmi, kur në brigjet e saj vendosi të shfaqej një ajsberg kolosal, që ka tërhequr shumë turistë.

Mali i akullt, i cili vlerësohet se është 46 metra i lartë nga sipërfaqja e ujit, është shndërruar në një tërheqje për shumë vizitorë që janë dyndur në qytezën kanadeze.

Ajsbergët nuk janë asgjë e re për Ferrylandin dhe jo më kot zona quhet “rrugica e ajsbergëve”, por autoritetet lokale thonë se një të tillë kaq të madh nuk e kishin parë kurrë.

Veçse kolosal, mali i akullt lundron mjaft ngadalë dhe pranë bregut, duke ofruar mundësinë për foto dhe video të jashtëzakonshme. Këto të fundit kanë përmbytur rrjetet sociale gjatë ditëve të fundit, pasi një ajsberg i tillë nuk shihet përditë.

Autoritetet lokale thanë se, në një ditë me mot të mirë mund të shihen edhe ajsbergë të tjerë në distancë, por prurja më e re nuk e ka me nxitim dhe duket sikur ka mbetur në vend.

Disa media në Kanada, në kuadër të lajmeve që ky ajsberg gjeneroi, thonë se është 5 metra më i lartë se ai që fundosi Titanikun.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel