Konkurrenca tregtare IKEA-Balenciaga

20/04/2017 00:00

Çanta ikonike e “IKEA”-s, që kushton vetëm 99 cent, sapo mori një gradim të jashtëzakonshëm në fushën e modës, falë kompanisë luksoze “Balenciaga”.

Kjo e fundit, e cila njihet për produktet e saj me çmime të kripura, krijoi një model të ri çante luksoze, që i ngjan frikshëm asaj të “IKEA”-s.

Të dyja çantat janë ngjyrë blu e ndezur, kanë të njëjtën formë dhe hapësirë të madhe brenda. Kur i vendos çantat krah njëra-tjetrës, ndryshimet thuajse nuk bien në sy, me përjashtim të atij më kolosal.

Çanta e “IKEA”-s, që njihet me emrin “Frakta” dhe që prodhohet me plastikë të riciklueshme, kushton më pak se një dollar, ndërsa sozia e saj nga “Balenciaga” kushton 2.145 dollarë.

“Balenciaga” nuk ka komentuar për këtë rastësi të çuditshme, ndërsa në krahun tjetër, “IKEA”-s nuk i vjen aspak keq. Zyrtarë të “IKEA”-s thanë se janë të lumtur që çanta e “Balenciaga”-s i ngjan çantës së tyre, pasi një çantë shumëfunksionale dhe mbi të gjitha ngjyrë blu vlen për këdo.

Top Channel