“El Clasico” të dielën, arbitri pranon gabimet para kohe

20/04/2017 00:00

Në kulmin e diskutimeve për përfitimet nga arbitrat në Ligën e Kampioneve, Reali i Madridit përgatite të mbyllë një javë vendimtare për fatet e sezonit.

Të dielën në mbrëmje “galaktikët” do të impenjohen në “El Clasico” ndaj Barcelonës që do të vendosë nëse do të rihapë garën për titullin apo do të mbajë Realin favorit. Për 90 minutëshin më të pritur të futbollit kontinental, do të jetë gjithashtu faktor, lojtari numër 22 në fushë.

Arbitri Hernandez si për ironi të fatit ka pranuar gabimet që do të bëjë në “El Clasico”, duke nënvizuar se e pret një mbrëmje e vështirë, por që do të gjykojë me të njëjtin qëndrim siç bën në përballjet e tjera.

“Do të bëj maksimumin që të trajtoj lojtarët si në çdo ndeshje të La Ligës. Kam patur sukses në një “El Clasico” të mëparshme në Barcelonë dhe jam gati ta bëj sërish. Por gabimet janë të paevitueshme. Ndonjëherë ne shkojmë në shtëpi duke e ditur se dështuam dhe gjithashtu e dimë se vendimet tona kanë patur impakt në klubet respektive. Me një gabim të vetëm mund të ndikosh në të gjithë sezonin”, tha arbitri Hernandez.

“Kur flasim për një sulmues ne analizojmë golat që ka shënuar dhe jo rastet që ka humbur dhe e njëjta gjë duhet të jetë edhe për arbitrat”, tha Hernandez, bilbili i “El Clasicos” që do të vendosë shumë mbi titullin në La Liga të dielën.

Top Channel