Ndëshkim gjyqtarëve? Pushime para kohe për ata që gabuan

20/04/2017 00:00

Furtuna mbi gjyqtarët ka dhënë efektet e para në prag të një tjetër jave të rëndësishme të Superiores. Në këtë fundjavë në kampionatin shqiptarë nuk do të ketë asnjë nga tre gjyqtarët me stemën e FIFA-s që edhe në renditje janë tre gjyqtarët më të mirë.

Gabimet e javëve të fundit, por edhe në tërësi të 3 fazave të para, pas një bilanci të bërë nga komisioni i vlerësimit të gjyqtarëve, duket se kanë çuar në një dënim deri në mbyllje të sezonit për dy nga gjyqtarët me stemën e FIFA-s, si Lorenc Jemini dhe Andi Koçi.

Praktika e ndëshkimit të gjyqtarëve edhe në UEFA apo FIFA ka të bëjë me javët pushim që qëndron një arbitër, i cili ka gabuar, ndërkohë që burime konfidanciale për Top Channel bëjnë me dije se për momentin ndëshkimi për dy gjyqtarët e FIFA-s është i papërcaktuar.

Situata e tensionuar në sektorin e gjykimit solli edhe atë kërcënim që një ditë më parë bëri presidenti i FSHF, Armand Duka, i cili vjen pas ankesave nga thuajse të gjitha klubet. Ndërkohë stema e tretë e FIFA-s që mbahet nga Enea Jorgji, sërish do të mungojë këtë fundjavë, por në rastin e tij, ka të bëjë me një shkëmbim eksperiencash që federata jonë do të bëjë këtë herë me gjyqtarë nga Luksemburgu.

Sa i përket gjyqtarëve nga Luksemburgu, nuk është përcaktuar ende se cilën nga ndeshjet e kësaj jave do të drejtojnë. Kampionati ka hyrë në një fazë të rëndësishme dhe të gjitha ndeshjet do të jenë përcaktuese, duke përjashtuar këtu, për shkak të mungesave të objektivave përballjen mes Luftëtarit dhe Korabit.

Top Channel