Poloni, Tusk pritet si hero përpara se të dëshmojë

19/04/2017 00:00

Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk është përshëndetur nga turma mbështetësish, pasi ai mbërriti në Varshavë të mërkurën, ku pritet të japë dëshminë e tij për një hetim mbi shërbimet sekrete ushtarake, që kritikët thonë se është një përpjekje nga qeveria e djathtë e Polonisë për të diskredituar ish-kryeministrin Tusk.

Qindra mbështetës prisnin për Tuskun në platformën e stacionit kryesor të trenave në Varshavë, ku ai mbërriti nga qyteti i lindjes, Gdansk, dhe e shoqëruan atë gjatë një trajektoreje të shkurtër deri në zyrën e prokurorit.

Tusk është ish-udhëheqës i partisë më të madhe të opozitës polake, “Platforma civile”, dhe rival i hershëm i Jaroslaw Kaczynski, kryetarit të partisë në pushtet “Ligj dhe drejtësi”, që i ka vënë prokurorët nën kontroll të drejtpërdrejtë të qeverisë.

Tusk është thirrur për të dëshmuar në një hetim kundër ish-shefave të kundërzbulimit ushtarak, të dyshuar se kanë bashkëpunuar me shërbime të huaja zbulimi, pa autorizimin e duhur të kryeministrit, që në atë kohë ishte vet Tusk.

Një ish-shef i shërbimeve sekrete ushtarake tha se, Tusk ka qenë në dijeni të plotë për bashkëpunimin e shërbimeve sekrete me Rusinë dhe e kishte autorizuar atë. Seanca fillestare ishte më 15 mars, por Tusk nuk kishte mundur të ishte i pranishëm, për shkak të angazhimeve të përcaktuara më herët në Parlamentin Europian.

Përfaqësuesi i tij, Roman Giertych tha më herët në prill se, prokurorët kishin kërcënuar të paktën dy herë se do të përdornin forcën fizike ndaj Tuskut, për ta detyruar atë të dëshmojë, pavarësisht imunitetit të tij europian.

Partia euroskeptike “Ligj dhe drejtësi”, që mundi “Platformën civile” në vitin 2015, është akuzuar nga krahu ekzekutiv i BE-së, Komisioni Europian, se po dëmton sundimin e ligjit dhe demokracinë, pas qëndrimit të saj ndaj Gjykatës Kushtetuese.

67-vjeçari Kaczynski nuk ka një post qeveritar, por shihet si vendimmarrësi kryesor në Poloni. Ai ka thënë se Tusk nuk duhej të rizgjidhej president i KE-së, pasi mund të përballet me akuza në Poloni të lidhura me aksidentin ajror të vitit 2010, që i mori jetën presidentit polak, vëllait binjak të Kaczynski, Lech, dhe një skeme piramidale.

Në mars, ministri i Mbrojtjes, Antoni Macierewicz, një aleat i ngushtë i Kaczynskit, akuzoi Tuskun për veprime që shkojnë deri në tradhti, duke thënë se ai kishte punuar me Rusinë për të dëmtuar interesat polake në lidhje me aksidentin ajror të vitit 2010 mbi Smolensk të Rusisë.

Top Channel