Kina shpreh shqetësim ndaj Koresë së Veriut

19/04/2017 00:00

Kina thotë se është e shqetësuar seriozisht për zhvillimet bërthamore në Korenë e Veriut. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lu Kang tha se Kina kundërshton deklaratat apo veprimet që mund të përshkallëzojnë më tej tensionet.

E këto të fundit, mes Koresë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara, janë në nivelet më të larta të mundshme. Ka pasur retorika të nxehta nga të dyja palët ditët e fundit.

Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence paralajmëroi Veriun të mos testojë Uashingtonin dhe tha se durimi me Penianin kishte mbaruar. Koreja e Veriut, ndërkohë, shpalosi fuqinë e saj ushtarake në një paradë gjatë fundjavës dhe testoi një tjetër raketë të dielën, që Pentagoni tha se shpërtheu menjëherë pas lëshimit.

Peniani thotë se do të testojë raketa çdo javë dhe paralajmëroi luftë të plotë, nëse Shtetet e Bashkuara ndërmarrin veprime ushtarake.

Ndërkohë, flota e Marinës amerikane e kryesuar nga aeroplanmbajtësja “USS Carl Vinson”, pjesë e së cilës janë edhe luftanije të tjera, është duke udhëtuar drejt Paqësorit perëndimor, tha të martën Komanda e Paqësorit, në zbatim të një urdhri të presidentit Donald Trump, javën e kaluar.

Tashmë është bërë e ditur se, kur u dha lajmërimi fillestar për lëvizjen e flotës, kjo e fundit po udhëtonte në drejtim të kundërt. Nuk është e qartë nëse ky ishte një keqkuptim, një ndryshim plani, apo thjesht problem komunikimi.

Top Channel