Referendumi në Turqi, kryeministri: Apelet, të drejta. Protestat, aspak

19/04/2017 00:00

Apelet kundër rezultatit të referendumit, që i jep më shumë fuqi presidentit Recep Tayyip Erdogan, janë të drejta, por thirrjet e njerëzve në rrugë për protesta nuk janë të tilla, tha kryeministri turk Benali Yildirim, teksa foli para anëtarëve të Partisë Drejtësi dhe Zhvillim në Ankara.

Ai tha se rezultatet e referendumit të së dielës, që u fitua nga kampi “pro” me një diferencë të ngushtë, do të vlerësohen, ndërsa vendi vijon me implementimin e ndryshimeve kushtetuese të miratuara.

“Apelet do të vlerësohen dhe një vendim do të merret. Gjithçka është normale deri këtu. Sidoqoftë, është plotësisht e papranueshme të ftohen njerëzit në rrugë nëpërmjet kanaleve të ndryshme të komunikimit dhe të mos njihen rezultatet”, tha Benali Yildirim, kryeministër i Turqisë.

Partitë e opozitës kanë nisur procesin zyrtar të apelimit për të shpallur të pavlefshëm rezultatin e referendumit, ndërkohë që vëzhguesit europianë të zgjedhjeve e kritikuan atë, duke e cilësuar një garë të pabarabartë.

Ministri i Jashtëm turk e quajti raportin e vëzhguesve europianë ekstremisht të njëanshëm, ndërsa kritikat të qëllimshme.

“Detyra e OSBE-së është të kryejë një analizë teknike. Ata nuk mund të kryejnë analiza politike dhe as të vlerësojnë ligjet kushtetuese. Ata nuk mund të ndërhyjnë në politikën e brendshme të Turqisë dhe ne nuk e marrim në konsideratë analizën e tyre. Ministria jonë ka lëshuar paralajmërimet e nevojshme dje dhe injoranca e tyre doli në dritë. Injoranca rrjedh nga paragjykimi”, tha Mevlut Cavusoglu, ministër i Jashtëm i Turqisë.

Partia opozitare turke, prokurde, HDP kërkoi të mërkurën anulimin e referendimit, duke denoncuar shkelje të shumta gjatë tij.

Top Channel