Britania, në zgjedhje parlamentare më 8 qershor

19/04/2017 00:00

Tashmë nuk është vetëm një dëshirë e kryeministres Theresa May, por realitet i mbështetur nga parlamentarët britanikë. Britania e Madhe do të shkojë në zgjedhje të parakohshme të përgjithshme më 8 qershor.

Dhoma e Përfaqësuesve në Parlamentin britanik mbështeti kërkesën e kryeministres me 522 vota pro dhe vetëm 13 kundër, duke sigluar kështu mbi 2/3-tat e votave që ishin të nevojshme, kjo edhe falë mbështetjes së dhënë nga laburistët dhe liberal-demokratët.

Kryeministrja ka argumentuar se një mandat i ri do të forconte pozitat e saj në bisedimet për “Brexit”-in dhe do të ofronte më shumë siguri për të ardhmen. Jeremy Corbyn ishte i vetmi që e akuzoi kryeministren se kishte ndryshuar mendje dhe kishte shkelur premtimet e dhëna për një sërë çështjesh, pavarësisht se mirëpriti zgjedhjet e parakohshme.

Zgjedhjet, normalisht priteshin të mbaheshin në vitin 2020, por ligji “Fixed Term Parliaments Act” e lejon mbajtjen e parakohshme të tyre nëse mbështetet nga 2/3-tat e deputetëve.

Duke mbrojtur këtë kërkesë, May u tha deputetëve se ekziston një “mundësi” për të zhvilluar zgjedhjet përpara nisjes së negociatave për “Brexit” në qershor, si dhe se vendi kishte nevojë për një “udhëheqësi të fortë” për të siguruar suksesin e procesit.

Top Channel