Gjyqtarët, Duka: Gabimet me dashje nuk tolerohen

19/04/2017 00:00

Në fundin e një sezoni të luftuar në të gjitha pozicione, ku jashtë garës dhe sulmeve nuk kanë mbetur as gjyqtarët, presidenti i FSHF, Armand Duka, i pranishëm në promovimin e Akademisë së Arbitrave në Universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, ka një mesazh kërcënues për gjyqtarët aktual.

“Gabimet janë pjesë e lojës, por nuk duhen toleruar ato që bëhen me dashje. Komisioni i Arbitrave ka nisur të mendojë bashkëpunimin me klubet për të parë nëse ka gabime të qëllimshme dhe nëse rezulton ndonjë rast i tillë atëherë ata arbitra nuk do të jenë më pjesë e kësaj gare”, tha Armand Duka, president i FSHF.

Presidenti Duka më pas theu heshtjen për moszgjidhjen e tij në Komitetin Ekzekutiv të UEFA duke theksuar se thjesht garimi i tij ishte diçka pozitive për FSHF.

“E mora me sportivitet pjesëmarrjen në këtë garë. Ishte diçka pozitive pasi i hap rrugën Federatës Shqiptare të Futbollit që të jetë pjesë e garës në të tjera forumet e UEFA”, tha Duka.

Këtë sezon lufta për titull në Kategorinë Superiore është e ndezur pasi në garë janë 3 skuadra me Dukën që u përpoq që të mos merrte asnjë pozicion në këtë pikë.

“Nuk mund të them se kush mund të shpallet kampion, pasi jam në një pozicion që nuk mund të shprehem. Por nëse Kukësi apo Partizani arrijnë të fitojnë titullin do të ishte diçka shumë e mirë”, tha kreu i FSHF-së.

Top Channel