Greqi, rrëzohet helikopteri ushtarak. 4 viktima, një e plagosur

19/04/2017 00:00

Një helikopter i ushtrisë greke është rrëzuar mëngjesin e së mërkurës rreth orës 8, në një zonë malore në Greqinë e veriut, ndërsa në bordin e tij ndodheshin 5 ushtarakë; 3 pjesëtarë të ekuipazhit dhe dy oficerë.

Sipas deklaratës zyrtare të Shtabit të Forcave të Armatosura greke, 4 persona kanë humbur jetën nga rrëzimi i mjetit ushtarak, ndërsa një pjesëtare femër e ekuipazhit është gjetur e plagosur në gjendje serioze dhe është dërguar në Spitalin Ushtarak 424 të Selanikut.

Bëhet fjalë për një helikopter të tipit “UH-1H”, që sipas deklaratës së Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ka humbur kontaktet me radarët e bazës në mesin e fluturmit të tij. Ai ishte nisur nga aeroporti ushtarak i Larisës, me destinacion Kozanin.

Sipas informacioneve nga Ministria e Mbrojtjes, helikopteri është rrëzuar pranë fshatit Sarantaporo dhe menjëherë është dhënë alarmi te ndihma e shpejtë, repartet e zjarrfikësve dhe forcat e ushtrisë, të cilat janë nisur drejt zonës.

Ministri i Mbrojtjes, Panos Kammenos shpalli 3 ditë zie për forcat ushtarake të vendit. Helikopterët “UH-1H” i përkasin një armate të vjetër, me të cilën është pajisur ushtria greke. Helikopteri i parë i këtij tipi, prodhim amerikan, është blerë në vitin 1969.

Deri në vitin 1993, Greqia bleu 101 të tillë, hoqi vetëm 5 nga përdorimi deri në vitin 2010, ndërsa sipas udhëzimeve të kompanisë amerikane që i prodhonte, duhej të kishte ndaluar përdorimin e tyre deri në fund të vitit 2015.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel