Luis Enrique: Përmbysja? Më e lehtë se me Parisin

19/04/2017 00:00

Trajneri i Barcelonës karikon sërish ambientin katalanas, duke deklaruar se ekipi i tij i ka të gjitha shanset për kualifikim.

“Në fakt, sot do të jetë më e lehtë sesa me Parisin, sepse na duhet një gol më pak. Mendoj se nëse shënojmë 5 gola, mund t’ia dalim dhe ne jemi të aftë t’i shënojmë”, tha Luis Enrique.

Trajneri katalanas vlerësoi Juventusin, por akuzoi edhe fatin për humbjen e thellë të pësuar në Torino, një javë më parë. “Në Itali na ndëshkoi edhe fati, sepse humbëm dy mundësi shumë të mira, por unë mendoj që ne mund t’ia dalim të kualifikohemi dhe “Camp Nou” do të jetë një armë më shumë për ne. Këtë e thotë edhe historia”, u shpreh trajneri i Barçës.

Luis Enrique vlerësoi rikthimin e Sergi Busquets, si një lojtar fondamental për ruajtjen e ekuilibrave të ekipit në fushën e lojës, dhe që i mungoi shumë në Torino. Trajneri katalanas nuk u mor aspak me analizimin e kundërshtarit, pasi sipas tij, i duhej të motivonte ekipin e vet.

“Nuk dua të flas për Juventusin sepse më duhet të motivoj djemtë e mi. Nëse ne arrijmë të bëjmë ndeshjen tonë perfekte, me ndihmën edhe të stadiumit, do t’ia dalim të kualifikohemi”, tha spanjolli. 

Barcelona do të presë sot në mbrëmje Juventusin, në takimin e vlefshëm për çerekfinalet e Champions League. Ky është takimi i dytë, pasi ndeshja e luajtur në Torino, u fitua nga bardhezinjtë, me rezultatin e pastër, 3-0.

Përmbysja duket e vështirë për Barcelonën, por katalanasit kanë treguar se janë në gjendje t’ia dalin. Prova më e mirë ishte kualifikimi ndaj PSG-së, pas humbjes së ndeshjes së parë, me rezultatin 0-4 dhe fitores në “Camp Nou”, me rezultatin 6-1.

Top Channel