Opozita turke kërkon anulimin e referendumit

18/04/2017 00:00

Opozita turke nisi betejën për të anuluar referendumin, që i jep fuqi të jashtëzakonshme presidentit Recep Tayyp Erdogan, ndërsa Shoqata e Avokatëve dhe vëzhguesit ndërkombëtare thanë se lëvizja e jashtëligjshme e autoriteteve zgjedhore mund të ketë ndryshuar rezultatin.

Pavarësisht se fitorja tejet e ngushtë në referendum tregoi ndarjen e thellë të vendit, presidenti Erdogan tha se vota e popullit i dha fund debatit, ndërsa mesazhi i tij për kritikët brenda dhe jashtë vendit ishte i qartë.

Partia kryesore opozitare, ajo Republikane, tha se do ta çojë sfidën e saj ligjore deri te Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, ndërsa i prezantoi një apel formal Komisionit Zgjedhor për anulimin e referendumit.

Veç shumë parregullsive gjatë fushatës, duket se ankesa kryesore e opozitës është vendimi i minutës së fundit i Komisionit Zgjedhor që të pranonte fletët e votimit të pavulosura, diçka që sipas Shoqatës së Avokatëve është plotësisht e kundërligjshme.

Kjo shkelje u konfirmua edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë, të cilët për më tepër shtuan se mund të jenë manipuluar deri në 2.5 milionë vota, dy herë më shumë sesa marzhi i fitores së Erdoganit.

Gjithsesi, shumë pak njerëz në Turqi shpresojnë që sfidat ligjore të sjellin një rinumërim të votave, e aq më pak rivotim. Por ekspertët thonë se, nëse sfidat ligjore nuk marrin një përgjigje, kjo do të ngrejë dyshime të thella dhe pyetje serioze për ligjshmërinë e një votimi, që ndau elektoratin turk më dysh dhe solli kritika e shfaqje shqetësimi nga aleatët europianë.

Top Channel