Ligj i sporteve, Fidel Ylli: Buxheti, shumë i ulët

18/04/2017 00:00

Ligji i ri për sportin synon që ta rikonceptojë atë nga fillimi, nga trajtimi e statusi i sportistëve, infrastruktura, por edhe buxheti që i akordohet sportit.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, teksa e prezantoi projektligjin e ri përpara deputetëve, tha se, përmes tij, sporti do të marrë një tjetër vlerë.

“Orienton dhe i jep përgjigje të gjithë problematikave të shfaqura nga ligji i mëparshëm. Me këtë projektligj, ne e përafrojmë legjislacionin tonë me atë europian”, tha Nikolla

Por, për relatorin e projektligjit, Fidel Ylli, për sportin ka ende shumë për të bërë, duke nisur nga buxheti dedikuar kësaj fushe, 900 mijë euro në vit..

“Sporti nuk bëhet pa para’. U kam bërë thirrje politikanëve që të mos kërkojnë bileta për ndeshjet që luajmë ndaj Francës apo Anglisë, por të kontribuojnë për të bërë ligje të mira. Shtoni buxhetin e sportit. Nuk mund të pranoj që Kosova ta ketë buxhetin për federatat 8 herë më të madh se Shqipëria”, tha Ylli.

Por, për Yllin, në këtë projektligj, janë hequr disa pika të rëndësishme që sportit i vijnë në ndihmë: “Janë bërë dy lapsuse nga Ministria e Financave, për forma sponsorizimi që këta i kanë rënë me kryq dhe i kanë hequr fare nga ligji i ri. Gjë që ndihmon sportin, por nuk ndikon në buxhetin e shtetit. Ne propozojmë që jo vetëm firmat sportive të kenë të drejtën të sponsorizojnë”.

Top Channel