BE-Turqisë: Nisni hetime transparente ndaj parregullsive

18/04/2017 00:00

Vëzhguesit europianë të zgjedhjeve, të cilët thanë se referendumi në Turqi ishte një garë e pabarabartë, ia dorëzuan raportin e tyre Bordit Zgjedhor të Turqisë.

Misioni i vëzhguesve nga 47 vende anëtare të Këshillit të Europës (KiE), organizmit kryesor për të Drejtat e Njeriut në kontinent, ishin në Turqi për të vëzhguar ecurinë e votimit në referendumin e së dielës, mbi ndryshimet kushtetuese që i japin më shumë fuqi presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Rezultatet treguan se 51.4 për qind e zgjedhësve turq votuan pro ndryshimeve. Vëzhguesit europianë, ndërkohë, thanë se mbështetja për votën “po” ka dominuar në mbulimin mediatik të fushatës, ndërsa arrestimet e gazetarëve dhe mbyllja e organeve të shtypit kanë bërë që këndvështrimet e kundërta të reduktohen.

Duke folur para gazetarëve, shefi i misionit të vëzhgimit nuk komentoi kritikat që vet Erdogani i bëri raportit, duke thënë se vëzhguesit e dinë vendin e tyre dhe Turqia nuk sheh, nuk dëgjon dhe as nuk pranon kritikat se, vota nuk ishte në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Ndërkohë, përballë rezultatit të ngushtë me të cilin u mbyll votimi dhe raportimeve për incidente e parregullsi, Komisioni Europian i ka bërë apel Turqisë të hetojë çdo supozim. Duke mos përgëzuar presidentin turk, Komisioni Europian është fokusuar te rezultatet e vëzhguesve të huaj.

“Ne u kërkojmë autoriteteve turke të marrin në konsideratë hapat e radhës me shumë kujdes dhe të kërkojnë konsensusin më të gjerë kombëtar të mundshëm, në fazën e postreferendumit. Ne po ashtu u kërkojmë të gjithë aktorëve të tregohen të përmbajtur, ndërsa autoritetet të nisin një hetim transparent për parregullsitë e denoncuara”, tha Margaritis Schinas, zëdhënës i Komisionit Europian.

Bashkimi Europian e ka kundërshtuar nismën e Erdoganit për ta shtyrë vendin në një sistem që i jep presidentit fuqi më të mëdha. Ndërkohë, Komisioni Europian ka thënë qartë se, çdo legjislacion që kthen dënimin me vdekje në Turqi, ashtu siç kishte premtuar Erdogan gjatë fushatës, do t’u jepte fund ambicieve europiane të Ankarasë.

Top Channel