Vdekja e Prince, qetësues të fortë në banesë

18/04/2017 00:00

Një numër qetësuesish të fortë u gjetën në shtëpinë e Prince, pak kohë pas vdekjes së tij vitin e kaluar, siç sugjerojnë dokumente të zbuluara së fundmi.

Disa prej ilaçeve të gjetura në shtëpinë e tij në Paisley Park në Minesota ishin lëshuar me recetë në emër të shokut dhe truprojës së tij. E megjithatë dokumentet nuk ofrojnë prova mbi burimin e qetësuesit të njohur si fentanyl, që shkaktoi vdekjen e artistit në 21 prill të 2016-s.

Analizat mjekoligjore arritën në përfundimin se ai kishte ndërruar jetë si pasojë e një mbidozë aksidentale. Deri më tani askush nuk është dënuar për vdekjen e 57-vjeçarit.

Dokumentet gjyqësore ishin ruajtur të papublikuara deri martën, pasi prokurorët i druheshin arratisjes së mundshme të dëshmitarëve ose shkatërrimit të provave. Ato tregojnë se disa prej medikamenteve të gjetura në banesën e Princit ishin të etiketuara si “Watson 853”, një qetësues që përdoret për trajtimin e dhimbjeve, artritit reumatizmal dhe kollës.

Ilaçe të tjera, përfshirë substanca të lejuara me përmbajtje narkotike u gjetën në rafte të ndryshme. Dëshmitarë të intervistuar gjatë hetimeve thanë se Princi kishte vuajtur pasojat e rënda të tërheqjes nga ilaçet si pasojë e abuzimit me medikamente të rekomanduara.

Top Channel