Sfida është e hapur për të gjithë: kush del i pari ndërsa vrapon për 1,1 kilometra në të përpjetë me një thes qymyri prej 50 kilogramësh mbi shpinë, fiton kampionatin botërorë të bartjes së qymyrgurit.

Fusha e betejës ndodhet pranë Wakefield-it në Angli. Ashtu si shumë gara të çuditshme britanike, edhe ky konkurrim përbën në të njëjtën kohë një test fizik dhe një sprove burrërie.

Fillesat e tij, kampionati i ka në vitet 1960, kur një burrë hyri në një pub të zonës e shpotiti një klient tjetër për gjendjen e tij në dukje jo të mirë fizike.

I ofenduari e sfidoi të vraponin të dy me një thes qymyri në kurriz në mënyrë që të gjithë ta shihnin se kush ishte më në formë se tjetri. Kësisoj, lindi dhe ideja e një gare që më vonë u zgjerua shumë duke marrë karakter ndërkombëtar.

Ndonëse miniera më e afërt e qymyrgurit është mbyllur kohë më parë, tundimi për të vrapuar me thesin në shpinë vazhdon të mbetet i parezistueshëm për pjesëmarrësit. Garën e meshkujve e fitoi Andreë Corrigan, i cili shënoi kohën 4 minuta e 31 sekonda.

Kjo ishte hera e parë që fermeri nga Durham në veriun e largët të vendit hynte në këtë kompeticion. Por gara e qymyrit nuk zhvillohet vetëm nga meshkujt. Femrat kanë gjithashtu përballjen e tyre, vetëm se pesha që mbajnë është 20 kg. Fituesja Jenny Mostram pati dhe ajo një kohë mjaftë të mirë: 4 minuta e 30 sekonda.

Top Channel