Mbrojtja e fëmijëve, në Tiranë u trajtuan 440 raste

18/04/2017 00:00

Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri për mbrojtjen e fëmijëve, çdo njësi administrative duhet të ketë një strukturë të posaçme për mbrojtjen e tyre. Ligji i ri u dikton gjithashtu profesionistëve si mjekëve, arsimtarëve, edukatorëve të raportojnë kur një fëmijë dhunohet apo edhe kur dyshohet, përndryshe do të kallëzohen penalisht si shfrytëzuesi.

“Për vitin 2016 Kemi trajtuar 440 raste fëmijësh. Kemi identifikuar mbi 300 raste fëmijësh në situatë rruge, aktualisht 165 janë në menaxhim ku marrin shërbim ditor, mbështetje arsimore dhe shëndetësore”, thotë Fjoralba Haxhi, koordinatore në Njësinë e Mbrojtjes së Fëmijëve.

Sipas Bashkisë së Tiranës, në 24 njësitë administrative të Tiranës ka një punonjës për mbrojtjen e fëmijëve. Por, kjo nuk ndodh në të gjitha qytetet, e sidomos në njësitë që kanë qenë ish komuna, ku fenomeni vazhdon të ruhet brenda familjes.

Si menaxhohet një rast dhe cila është ndihma që ofrohet?

“Nëse jemi në situatën e një fëmije pa strehim, shërbimi primar është ai i emergjencës, më pas qendra tranzitore, deri te aplikimi për programet e strehimit social në bashki. Paralelisht, punonjësi i mbrojtjes së fëmijëve, bashkë me administratori e shoqëron në njësinë administrative përkatëse dhe kryhen të gjitha procedurat për trajtimin me një nga programet e strehimit social”, thotë Haxhi.

Bashkia e Tiranës ka ngritur një strukturë që funksionon me skuadra në terren që identifikojnë, vlerësojnë dhe referojnë rastin te punonjësi për mbrojtjen e fëmijëve ku fëmija ka vendbanimin.

Top Channel