SHBA, gjykata e Arkansasit ndalon dy dënime me vdekje

18/04/2017 00:00

Gjykata e lartë në Arkansas të Shteteve të Bashkuara ka ndaluar ekzekutimin e dy dënimeve me vdekje.

Vendimi i Gjykatës Supreme erdhi përpara se dy të dënuarit për vrasje, Don Davis dhe Bruce Ward, t’i nënshtroheshin dënimit kapital, që do të shënonte dhe nisjen e 7 dënimeve gjithësej brenda 11 ditëve.

Sidoqoftë, vendimi për Davids mund të kthehet mbrapsht, raportojnë mediat ndërkombëtare.

Avokatët e të dënuarve deklaruan se, klientët e tyre nuk ishin në gjendje mendërisht që të përballonin ekzekutimet dhe se atyre u ishte mohuar trajtimi i duhur.

Megjithatë, shteti i Arkansasit arriti një fitore kur një gjykatë federale shfuqizoi urdhërin që mbante të bllokuara 7 ekzekutimet. Vendimi në fjalë ishte marrë të shtunën e kaluar nga një juri me argumentin se injeksioni vdekjeprurës shkaktonte vuajtje.

Rasti i paprecedent i 7 dënimeve me vdekje në Arkansas ka tërhequr vëmendje ndërkombëtare.

Insistimi për ekzekutimin e tyre ka të bëjë me dëshirën e autoriteteve për të përdorur një stok ilaçesh përpara se ato të skadojnë më vonë gjatë këtij muaji. Por kjo prirje është dënuar nga kritikët, të cilët e kanë cilësiar si çnjerëzore.

Top Channel