Trump uron Erdoganin për referendumin

18/04/2017 00:00

Donald Trump e uroi presidentin turk për fitoren në referendumin e së dielës, që zgjeron ndjeshëm pushtetin e Recep Tayyip Erdoganit.

Udhëheqësit e Bashkimit Europian ngurruan ta bënin një gjë të tillë, aq më tepër pas raportit të OSBE-së, sipas të cilit, procesi zgjedhor nuk përmbushi standardet ndërkombëtare.

Por shefi i Shtëpisë së Bardhë ndoqi tjetër linjë dhe në telefonatën e bërë Erdoganit, i përcolli gjithashtu falenderimet e veta për mbështetjen që Turqia i dha sulmit amerikan me raketa ndaj një baze ajrore të qeverisë siriane më 7 prill.

Presidenti turk i hodhi poshtë kritikat e monitoruesve ndërkombëtarë, të cilët dolën në përfundimin se ai ishte favorizuar qartazi nga një fushatë e “pabarabartë”.

“Është një organizatë që quhet OSBE dhe ka përgatitur raportin e saj. Zgjedhjet në Turqi ishin kështu, apo ashtu. Unë iu them atyre se, si fillim bëni mirë të dini se cili është vendi juaj. Ne do të vazhdojmë rrugën tonë”, tha Erdogan.

Fitorja tepër e ngushtë e Erdoganit u shpall e vlefshme nga Këshilli i Lartë Zgjedhor, pavarësisht pretendimeve të opozitës për parregullsi flagrante të procesit. Por e ardhmja e marrëdhënieve Turqi-BE përballet me paqartësi të mëdha dhe Erdogani ndoshta do të orientohet më shumë nga Rusia.

“Si anëtare e NATO-s, Turqia nuk mund të distancohet plotësisht nga bota perëndimore. Zhvillimi i marrëdhënieve me Moskën do të jetë një as nën mëngë për të, që të kontrollojë e balancojë marrëdhëniet me BE-në”, tha Ali Faik Demir, profesor në Universitetin e Gallatasarajit.

Ndërsa mijëra protestues dolën sërish në rrugët e Stambollit për të kundërshtuar rezultatin e referendumit dhe fuqitë e shtuara të presidentit, Turqia e zgjati me 3 muaj të tjerë gjendjen e jashtëzakonshme të vendosur pas grushtit të dështuar të shtetit në korrik të vitit të kaluar.

Top Channel