Gabriel: Referendumi turk, vota nga jashtë. Rezultati, i ngushtë

17/04/2017 00:00

Kreu i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, dhe e ngarkuara e BE-së për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini, kërkuan nga qeveria turke që të krijojë një konsensus kombëtar për ndryshimet kushtetuese, sepse rezultati i zgjedhjeve ka qenë shumë i ngushtë.

Asnjëri prej dy zyrtarëve nuk e ka uruar Recep Tayyip Erdoganin për fitoren, sepse pret raportin e vëzhguesve të OSBE-së. Me sytë nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë për vlerësimin përfundimntar mbi procesin e votimit në Turqi është edhe Angela Merkel.

Ministri i saj i Jashtëm, Sigmar Gabriel deklaroi në Tiranë se Erdogani nuk siguroi shumicën e nevojshme të votave brenda Turqisë.

“Për të siguruar këtë lloj shumice minimale është dashur që votat të mbërrijnë nga jashtë. Do të na duhet të presim rezultatin final, bashkë me komentet e vëzhguesve ndërkombëtarë të procesit të votimit. Në një rezultat të tillë kaq të ngushtë, duke u nisur edhe prej faktit që votimet u zhvilluan në një situatë të jashtëzakonshme dhe shumë njerëz në muajt e fundit kanë pasur përshtypjen se liritë themelore në Turqi kanë qenë tejet të kufizuara, është mjaft e rëndësishme të pritet gjykimi dhe vlerësimi i monitoruesve ndërkombëtarë”, tha Gabriel.

Sipas rezultateve të para të shpallura nga numërimi i votave të diasporës turke, shtetasit turq në Maqedoni kanë votuar shumica pro referendumit të zhvilluar të dielën për ndryshimet kushtetuese. E njëjta situatë ishte edhe në Kosovë, ndërsa në Shqipëri ndodhi e kundërta: gati 42% kanë qenë pro dhe 58.2% e votave ishin kundër.

Kreu i Komisionit Zgjedhor turk, Sadi Guven e shpalli mëse të vlefshëm votimin, që e vesh Erdoganin me fuqi shtesë, por ndërkombëtarët kërkojnë një mendim të paanshëm. Pas kësaj do të vendoset nëse Turqia po i përmbush apo jo detyrimet e saj si shtet kandidat për anëtarësim në BE.

Menjëherë pas referendumit u shtuan kërkesat për ndërprerjen e bisedimeve me Turqinë. Zv.presidenti i Parlamentit Europian, Alexander Graf Lambsdorff tha se, fantazitë e Erdoganit për pushtet të pakufizuar bien ndesh me vlerat themelore të Bashkimit Europian, ndaj duhen ndërprerë sipas tij negociatat e anëtarësimit, ndërsa raportet me Ankaranë lipset të vendosen mbi baza të reja.

Top Channel