“Play off”-et e NBA, fitojnë Golden State e Houston

17/04/2017 00:00

Golden State dhuroi spektakël në ndeshjen e saj të parë të “play-off”-eve. Në “Oracle Arena”, Warriors iu imponuan me forcë Portlandit dhe e mposhtën me rezultatin 121-109, duke i bërë të pavlefshme 75 pikët e shënuara së bashku nga basketbollistët e Trailblazers, McCollum dhe Lillard.

Ai që e udhëhoqi Golden State drejt suksesit ishte Kevin Durant, me 32 pikë e 10 topa në tabelë, ndërsa Stephen Curry u mjaftua me 29 pikë. Mbrojtjen e drejtoi Draymond Green, që e mbylli sfidën me 19 pikë, 12 topa në tabelë dhe 5 bllokime.

James Harden fiton sfidën me Russell Westbrook, në suksesin e Houstonit ndaj Oklahomës. Në “Toyota Center” të Teksasit, Rockets e mbyllën sfidën me Thunders 118-87, ku Harden shënoi 37 pikë, ndërkohë që rivali i tij për titullin “MVP”, Westbrook e mbylli sfidën me 22 pikë.

Ishte një ndeshje e dominuar totalisht nga Houstoni dhe këtë e tregon diferenca prej 31 pikësh në rezultatin përfundimtar të saj. Diferenca në parket u bë gjatë periodës së dytë dhe të tretë, kur Houston shënoi rezultatin e pjesshëm 59-33, falë një paraqitjeje të shkëlqyer të Patrick Beverly, që e mbylli ndeshjen me 21 pikë e 10 topa në tabelë.

Boston nuk arriti të shfytëzojë siç duhet faktorin fushë në ndeshjen e parë të “play-off”-eve. Në “TD Garden”, Celtics humbën ndaj Chicagos 102-106, ku ai që spikati për Bulls ishte Jimmy Butler, me 30 pikë personale, 15 nga të cilat i shënoi në 12 minutat e fundit.

Për Bostonin, Thomas ishte në parket pavarësisht lajmit të hidhur për vdekjen e motrës së tij në një aksident rrugor. Edhe pse shënoi 33 pikë në këtë ndeshje, Thomas nuk mundi dot të ndihmojë Bostonin të evitojë humbjen ndaj Chicagos.

Në ndeshjen tjetër të NBA-së, Washingtoni fitoi përballjen e parë të “play-off”-eve në “Verizon Center”, ndaj Atlantës me rezultatin 114-107, ku ai që shkëlqeu për Wizzards ishte John Wall, me 32 pikë e 14 asiste.

Top Channel